Ari, i qëndrueshëm pranë 1870 USD – Ndikohet nga zhvlerësimi i dollarit amerikan përballë monedhave kryesore
Ari po qëndron në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, për shkak të zhvlerësimit të dollarit amerikan, si pasojë e komenteve të zyrtarëve të Rezervës Federale, të cilët deklaruan se rritja e kohëve të fundit e yield-it të obligacioneve në SHBA e bën rritjen e normës bazë të interesit më pak të nevojshme. Ari po tregtohet i qëndrueshëm pranë 1870 dollarë për onz, niveli më i lartë që nga 29 shtatori.
Dollari amerikan ka rënë në nivelin më të ulët në dy javët e fundit, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare. “Debati i vërtetë mes zyrtarëve të FED është se për sa kohë do të qëndrojnë të larta normat e interesit.
Normat më të larta të interesit rrisin koston oportune të mbajtjes së arit, i cili vlerësohet në dollarë dhe nuk jep asnjë interes. Ari është rimëkëmbur nga niveli më i ulët në 7 muajt e fundit edhe për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme, që kanë rritur oreksin e investitorëve për asete të sigurta.
Një ndikim në ecurinë e tregut të metaleve të çmuara do të ketë edhe raporti mbi inflacionin në SHBA, që do të publikohet më vonë gjatë ditës së sotme. Gjithashtu, investitorët po presin edhe procesverbalin e takimit të fundit të Rezervës Federale.
Lidion Kulla / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.