Shqipëria forcon mbrojtjen ndaj skenarëve të mundshëm – Strategjia/ Rreziqe nga agresionet ushtarake dhe sulmet kibernetike
Shqipërisë do ti duhet të sigurojë një mbrojtje më të fortë ndaj rreziqeve të shtuara globale. Ministria e Mbrojtjes ka hedhur për konsultim Strategjinë e re Ushtarake, e cila vlerësohet e hartuar në një mjedis sigurie të përkeqësuar dhe të paqëndrueshëm.
Sipas dokumentit, këto ndryshime vijnë kryesisht nga agresioni i pajustifikuar dhe i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës dhe vullneti i treguar nga Rusia për përdorimin e forcës ushtarake pa dallime dhe kufizime, duke shpërfillur e duke shkelur rëndë ligjet ndërkombëtare dhe parimet e Kartës së OKB-së dhe duke sfiduar rëndë paqen dhe sigurinë globale e rajonale.
Referuar strategjisë, rreziku i një agresioni ushtarak ndaj territorit të Shqipërisë konsiderohet i ulët, por situata aktuale e sigurisë ndërkombëtare në kufijtë lindorë të Aleancës ka rritur mundësinë që një sulm ushtarak ndaj njërit prej vendeve aleatë të NATO-s, si dhe detyrimet që burojnë nga zbatimi i nenit 5, të Traktatit të Atlantikut të Veriut, ta përfshijnë Shqipërinë në një konflikt konvencional, i cili mund të përshkallëzohet nëpërmjet përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë. Shqipëria nuk mbështet dhe as synon përdorimin e forcës ushtarake për motive agresioni ndaj një vendi tjetër.
Për këtë arsye strategjia ekzistuese nuk i shërben më qëllimit të saj. Kjo strategji vendos objektiva strategjiko – ushtarak, bazuar ne Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, por edhe në strategjinë ushtarake të NATO-s, ku mjedisi i sigurisë përballet nga dy kërcënimet kryesore si ai i Rusisë dhe nga terrorizmi, po ashtu strategjia ushtarake i kushton vëmendje edhe kërcënimeve në hapësirën kibernetike.
Strategjia parashikon investime në infrastrukturën e mbrojtjes në burime njerëzore dhe krijimin e një force të armatosur profesioniste me cilësi të larta operacionale për përmbushjen me sukses të misionit, brenda dhe jashtë vendit.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.