Çmimi rritet por shqiptarët nuk e ndalojnë duhanpirjen – MF: Rritet importi i cigareve në Shqipëri, 3186 tonë në 2023
Në një vend ku taksa e duhanit është në rritje çdo vit, duket se njerëzit po bëjnë të kundërtën e asaj që pritet. “Akciza”, si një taksë për të frenuar konsumin e duhanit, po lartësohet vazhdimisht nga institucionet, por duket se kjo nuk po ndikon në mënyrën se si shqiptarët shijojnë cigaren.
Nëpërmjet të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, bëhet e ditur se importi i cigareve në Shqipëri është në një rrugë rritjeje të pandërprerë. Në vitin 2020, ky import arriti në 2,713 tonë, për të vazhduar me një rritje graduale në vitet pasuese, duke arritur në 3,186 tonë në vitin e kaluar.
Megjithatë, edhe në fillimin e vitit aktual, importet vazhdojnë të mbeten të larta, me 421 tonë vetëm në dy muajt e parë të vitit, një shifër që bën që zëri i alarmit të tingëllojë më fort.
Sipas “NUMBEO”, çmimi i një pakete cigareje në Shqipëri ka arritur një nivel të lartë, duke shkuar në 350 lekë për paketë. Në këtë aspekt, vendi renditet në vendin e katërt në Ballkan për çmimin më të shtrenjtë të cigareve për paketë. Por, kjo nuk duket se i trembet shqiptarëve, ndërsa ata vazhdojnë të blejnë dhe të konsumojnë me të njëjtin entuziazëm.
Kroacia mban vendin e parë për çmimin mesatar për paketë cigare me 473 lekë për të vazhduar me Serbinë dhe Malin e Zi ku çmimi shkon në 354 lekë dhe për të përfunduar me Maqedoninë e Veriut ku mesatarisht një paketë cigare kushton vetëm 262 lekë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.