Shqipëria dhe Islanda, 100% energji të rinovueshme – Viti 2023 ishte më i miri i regjistruar për instalimet e energjisë së erës
Aktualisht, shtatë vende në botë prodhojnë thuajse 100% të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, ndërsa dy prej tyre janë në Europë, Shqipëria dhe Islanda.
Viti i kaluar ishte viti më i mirë i regjistruar për instalimet e reja të energjisë së erës. Bota instaloi 116 gigavat kapacitet të ri të energjisë së erës në vitin 2023, sipas Raportit të fundit Global Wind nga shoqata tregtare e industrisë, Këshilli Global i Energjisë së Erës. Kjo është një rritje prej 50% nga viti 2022 duke e bërë atë vitin më të mirë për projektet e reja të erës.
Kina kryesoi për instalimet e burimeve energjetike nga era në det dhe tokë, e ndjekur nga SHBA, Brazili dhe Gjermania. Falë rritjes së fortë në Holandë, Europa gjithashtu pati një vit rekord në 2023-shin me 3.8 gigavat kapacitet të ri të erës në det të hapur.
Autorët e këtij raporti thonë se bota po lëviz në drejtimin e duhur për të “luftuar” ndryshimet klimatike. Por, ata paralajmërojnë se rritja vjetore duhet të jetë së paku 320 gigavat deri në vitin 2030 për të përmbushur premtimin COP28 për trefishimin e energjisë së rinovueshme deri në fund të dekadës.
Norvegjia u afrua me 98.38% të energjisë së saj nga era, uji ose dielli. 40 vende të tjera morën të paktën gjysmën e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme në 2021-shin dhe 2022-shin, duke përfshirë 11 në Europë. Të tjerët, si Gjermania apo Portugalia, janë të afta të funksionojnë me 100 % erë, ujë dhe diell për një kohë të shkurtër.
Teknologjia është përmirësuar dhe kostot po bien me shpejtësi. Energjia diellore dominoi zgjerimin e kapacitetit të energjisë së rinovueshme në 2023-shin, duke zënë 73% të të gjithë rritjes, e ndjekur nga energjia e erës me 24%.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.