“Fitues në tenderë, ofertat më të larta” – KPP rrëzon vendimet e institucioneve, buxhetit të shtetit iu kursyen rreth 342.1 mln lekë
Gjatë vitit 2023 institucionet shtetërore shpallën fitues në tenderë kompani me oferta ekonomike më të larta, duke rrezikuar që nga buxheti i shtetit të paguheshin miliona lekë më tepër për të njëjtën punë, mall apo shërbim.
Gjithçka bëhet me dije nga Komisioni i Prokurimit Publik, që specifikon se kjo vlerë arrin në rreth 342.1 mln lekë, pa TVSH, por për shkak të ankesave të operatorëve ekonomikë, pagesat nuk janë ekzekutuar.
Në raport me një vit më parë vlera e kursyer është gati 3-fish më e lartë, duke qenë se gjatë vitit 2022 fondi i kursyer rezultoi në 116 mln lekë. “Pas vendimmarrjes, 342,136,660 lekë pa TVSH, i janë kursyer buxhetit të shtetit si diferencë e ofertës së kualifikuar nga vendimmarrja e autoriteteve kontraktore dhe e operatorëve ekonomikë të ankuar, ankesa e të cilëve është pranuar nga Komisioni i Prokurimit Publik”, – thekson ndër të tjera KPP.
Sipas këtij dikasteri, nga 5250 procedura unike të publikuara në Sistemin e Prokurime Elektronike gjatë vitit 2023, për prokurime publike me vlerë totale prej rreth 134.4 mld lekë, janë paraqitur 866 ankesa për 617 procedura unike të ankimuara me vlerë totale prej rreth 20.4 mld lekë.
Ankesat përfshijnë 205 Autoritete Kontraktore dhe janë bërë nga 291 Operatorë Ekonomikë. Në rang kombëtar janë ankimuar 11.7 % e procedurave të prokurimit mbi kufirin e blerjeve të vogla, dhe ankimuar 15.21 % e fondit limit të procedurave të publikuara.
Ndërkaq, në krahasim me vitin 2022, vihet re një rritje e numrit të ankesave në raport me numrin e procedurave të publikuara në Sistemin e Prokurimeve Elektronike nga 8.19 % në vitin 2022 në 11.7 % në vitin 2023.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.