OSHEE, plan të ri për reduktimin e humbjeve në rrjet – Synohet të arrihet në 17.93%, 0.57% më shumë se plani i qeverisë
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike synon uljen e humbjeve të energjisë në rrjetin e shpërndarjes, në 17.93%, deri në fund të këtij viti. Ky target konsiderohet ambicioz, duke marrë në konsideratë se tejkalon objektivat e vendosur nga qeveria për reduktimin e humbjeve.
Sipas planit të rishikuar nga Këshilli i Ministrave, viti 2024 duhet të mbyllet me një nivel humbjesh prej 18.5% apo 0.57% më shumë sesa synohet të arrihet nga OSHEE. Po ashtu, sipas këtij plani, në vitin 2025 humbjet duhet të jenë në nivelin 18.1%, ndërsa në 2026-ën 17.8%.
Humbjet e energjisë në rrjet vijnë për 2 arsye. E para lidhet me rrjetin e amortizuar, që konsiderohen si humbje teknike, ndërsa e dyta përfshin humbjet joteknike apo thënë ndryshe vjedhjet.
Për të reduktuar humbjet teknike nevojiten investime për zëvendësimin e rrjetit të vjetër, teksa sipas planit 30 mln USD të prezantuar nga OSHEE për vitin 2024, vëmendjen më të madhe do e marrin zonat bregdetare, por edhe ato në veri të vendit.
Në vitet e fundit niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes ka ardhur në ulje të lehtë, teksa viti 2023 u mbyll me një nivel prej 18.58 %.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.