Thumanë-Kashar, autostrada e parë me 130 km/orë në Shqipëri. Balluku: Me 30 qershor e aksesueshme për të gjitha automjetet
Me 30 qershor do të hapet autostrada Thumanë-Kashar, një nga akset më të rëndësishme rrugore të vendit, pjesë e Korridorit Blu. Zëvëndëskryeministrja Belinda Balluku, njëkohësisht Ministre e Infrastrukturës, inspektoi ecurinë e punimeve, duke përshkuar me makinë të gjithë aksin rrugor, punimet e të cilit janë në fazën përfundimtare.
Në fjalën e saj, zëvëndëskryeministrja evidentoi se është zgjidhur dhe pengesa e fundit, ku 6 shtëpi të palegalizuara janë hequr, ndërsa është treguar kujdes që familjet të përfitojnë bonusin e qirasë deri në momentin që Bashkia e Vorës t’i akomodojë në banesat e reja.
“Askush nuk do të ngelet jashtë” konfirmoi Balluku.
Ndërsa përshkoi me makinë aksin e ri rrugor, zëvëndëskryeministrja evidentoi se kjo autostradë është një ndër autostradat më të rëndësishme në Shqipëri, e kategorisë A. Kjo nënkupton jo vetëm standarte europiane të ndërtimit të rrugës, por edhe një limit shpejtësie tjetër nga ai që kanë akset e tjera rrugore të vendit.
Kjo, sipas Ballukut, do të jetë autostrada e parë ku do të mund të qarkullohet me një shpejtësi deri në 130 kilometra në orë. I njëjti standard, sipas Ballukut, do të aplikohet edhe me segmentet e tjera të Korridorit Blu. Ky aks rrugor lidhet me aksin tjetër Tiranë-Durrës, që gjithashtu do t’i nënshtrohet së shpejti zgjerimit.
Në fjalën e tij, drejtuesi i punimeve konfirmoi se ky aks rrugor do të ketë hapjen përfundimtare me 30 qershor dhe do të jetë plotësisht funksional për qarkullimin e automjeteve.
Thumanë – Kashar ka një gjatësi prej 21 kilometrash dhe përmban disa vepra arti, 11 ura 105 tombino, 6 mbikalime dhe 6 nënkalime, si dhe ndërtimin e dy nyjeve të mëdha me dalje në aeroportin e Rinasit dhe nyjën e Kasharit ku bëhet edhe lidhja me aksion rrugor Tiranë-Durrës.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.