Ndërtimi i korridorit adriatiko-jonian – Nga projektimi, te ndërtimi. Fazat ku ndodhen segmentet në territorin shqiptar
Korridori Adriatiko-Jonian është konsideruar si një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, teksa ndërtimi i segmenteve të tij është në faza të ndryshme, ku disa janë drejt përfundimit, ndërsa të tjerë në fazë projektimi.
Gjatësia totale e këtij korridori në territorin shqiptar është 315 km dhe nis nga Kakavija, në Gjirokastër, deri në Murriqan, ku bëhet lidhja me Malin e Zi. Ndërkaq, në vitet e fundit përpjekjet janë përqëndruar për segementet nga Fieri në Murriqan, që kanë një gjatësi totale prej 188 km.
Kështu, së fundmi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi nisjen e konsultimeve publike për aksin Balldren-Murriqan, çka do të thotë se ky segment aktualisht ndodhet në fazën e finalizimit të projektit.
Segmenti tjetër është Balldren-Milot për të cilin ky dikaster ka deklaruar se shumë shpejt do të hapë garën e partenritetit public-privat për ndërtimin e tij. Më pas, rruga vijon në aksin Milot-Thumanë për të cilin është shpallur kompania fituese, ndërsa aktualisht janë duke përfunduar negociatat për finalizimin dhe nënshkrimin e kontratës.
Në fazë më të avancuar ndodhet segmenti Thumanë-Kashar, që është në fazë ndërtimi e që është njoftuar se do të hapet për qarkullimin e automjeteve në datën 30 qershor. Sa i takon 2 segmeteve të tjerë, që janë Kashar-Lekaj dhe Lekaj-Fier, edhe për këto akse është zhavilluar gara tenderuese dhe janë shpallur kompanitë fituese, teksa aktualisht po negociohet kontrata që do i hapë rrugë nisjes së punimeve.
Korridorit Adriatiko- Jonian është pjesë e Korridorit TEN-T Mesdhetar dhe ka një gjatësi totale prej 1,550 km, teksa 20% e gjatësisë së tij kalon në territorin shqiptar.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.