Kreu i AAC përballë gazetarëve: A jemi gati për ‘boom-in” e fluturimeve? Et’hemaj, apel prindërve: Gati Akademia e Aviacionit
Rritja e fortë e fluksit turistik ka krijuar një rritje shumë të madhe në tregun e aviacionit civil. Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil Maksim Et’hemaj tha për gazetarin Fatos Çoçoli në emisionin Ekopuls në SCAN se shifrat pasagjerëve të parashikuara për këtë vit janë dyfish më të larta se në 2022.
Përballë kreut të AAC, ishin gazetarët e ekonomisë Bardhi Sejdarasi dhe Geri Kolgega si dhe në lidhje direkte nga Milano, gazetari i “Corriere Della Sera”, Leonard Berberi që pak ditë më parë publikoi në gazetën italiane një analizë për atë që po ndodh me tregun e fluturimeve në Shqipëri.
Kjo rritje e fluksit të fluturimeve e pasagjerëve po krijon një treg të ri pune. Për të paraprirë këtë situatë Shqipëria ka marrë nga Organizata e Aviacionit Civil Botëror të drejtën për të hapur një akademi për aviacionin civil. Kjo krijon një mundësi të madhe punësimi për të gjithë të rinjtë shqiptarë.
Mbarimi i akademisë përgatit profesionistë që mund të shërbejnë në të gjithë botën. Por edhe kërkesa e brendshme për profesionistë të avionëve sa vjen e rritet.
Flukset e pasagjerëve e kanë kthyer aeroportin e Rinasit në platformën e parë të fluturimeve në rajon. Ndërkohë kjo situatë po favorizon edhe projektet e aeroporteve në Vlorë e Gjirokastër të cilët janë në zbatim e sipër.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.