Rama, nga Himara: 4000 tapi deri në fund të vitit – “Të shmangen konfliktet dhe pronat të zhvillohen në funksion të turizmit”
Rreth 437 tituj pronësie u shpërndanë të premten në qytetin e Himarës për shtëpitë e trashëguara. Regjistrimi i pronave në një zonë turistike si ajo e Himarës, pra rregullimi i tyre me ligj, krijon mundësinë që këto prona të zhvillohen nga qytetarët në funksion të turizmit.
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm për shpërndarjen simbolike të certifikatave të pronësisë, ndërsa njoftoi që deri në fund të këtij viti do të jepen rreth 4000 certifikata pronësie në zonat kadastrale me probleme kronike si Thethi, Vermoshi, Tropoja, Kukësi, Malësia e Madhe, Saranda e të tjera.
Rama theksoi që duhet të nxitet aplikimi i qytetarëve për regjistrimin e shtëpive të trashëguara dhe t’u ofrohet ndihmë nga prefekti kurdoherë që të ndeshen më vështrësi gjatë procesit të aplikimit.
Përveç zhvillimit të mëtejshëm të këtyre pronave, synohet t’i jepet fund zvarritjes në kohë të pajisjes me certifikata pronësie, konflikteve si pasojë e mungesës së regjistrimit apo shitjes së shtëpive të trashëguara te disa pronarë dhe me çmime të dyfishuara. Gjatë këtij takimi u lajmërua se procesi i dhënies së cerifikatave do të vijojë në fund të qershorit edhe në Theth.
Ledina Elezi/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.