“Televizionet abuzuan me reklama të fshehta” – Raporti 2023 i AMA, Krasniqi: Ankesa për shkelje të të drejtave
Raporti i Autoritetit të Mediave Audiovizive, për vitin 2023, doli në konkluzionet se një pjesë e televizioneve abuzuan me reklamat e fshehta, shkeljen etike si dhe reklama për medikamente. Kryetarja e AMA, Armela Krasniqi raportoi se është bërë monitorimi i 114 rasteve të transmetimeve audio dhe audiovizive, ku janë konstatuar 49 shkelje.
“Gjatë vitit 2023 ekipet e monitorimit dhe të analizës kanë realizuar verifikimin e 114 rasteve të transmetimeve audio/audiovizive për përputhshmërinë e tyre me kërkesat ligjore. Nga ky verifikim janë konstatuar 49 raste shkeljesh sipas tipologjisë: 55% e rasteve reklama të fshehta; 33% shkelje etike dhe mbrojtja e të miturve; 10% reklama mbi shëndetin dhe medikamentet dhe 2% reklama politike.
Ndërkohë ndër prioritetet e AMA-s gjatë vitit 2023 ka qenë dhe forcimi i luftës kundër piraterisë televizive që kryet edhe përmes internetit.
“Fenomeni i piraterisë televizive që kryhet nëpërmjet internetit, është një fenomen sa shqetësues aq dhe i komplikuar për t’u identifikuar, për arsye se në shumicën e rasteve produkti audioviziv që transmetohet abuzivisht, vjen nga servera të vendeve të ndryshme të botës dhe nuk janë të pozicionuara në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye, identifikimi i tyre bëhet shumë i vështirë”.
Ndër punët vlerësuese të AMA-s gjatë vitit 2023 është renditur iniciativa shumë e rëndësishme e nisjes së diskutimeve me grupet e interesit për procesin e Matjes së Audiencës.
Diamila Leka/ Scan
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.