“Lufta” e makinave elektrike me Kinën – Volkswagen do të zhvillojë një automjet me kosto më të ulët
Volkswagen do të zhvillojë automjete elektrike me kosto të ulët në një përpjekje për të konkurruar më mirë me rivalët kinezë, tha prodhuesi më i madh i makinave në Evropë, pas bisedimeve me Renault për t’u bashkuar në këtë projekt.
Objektivi është prodhimi i automjeteve elektrike për tregun evropian me çmim rreth 20,000 euro, tha Volkswagen duke shtuar se pritet të hidhen në treg në vitin 2027. Projekti, i quajtur ID.1, vjen pasi rivalët kinezë, disa prej të cilëve kanë një avantazh prej 30% të kostos ndaj homologëve perëndimorë, po përpiqen për të rrëmbyer pjesën e tregut në Evropë.
Volkswagen tha se do të mbështetet në një shkallë të lartë lokalizimi në Evropë për projektin, i cili gjithashtu do të ndihmojë në shkurtimin e rrugëve të transportit të komponentëve, duke reduktuar kështu emetimet.
Javën e kaluar Volkswagen tha se industria evropiane kishte nga dy deri në tre vjet për t’u përgatitur për kërcënimin konkurrues, duke paralajmëruar se mbijetesa e sektorit ishte ndryshe në rrezik. Si pjesë e këtyre përpjekjeve, Volkswagen aktualisht po zbaton një plan prej 10 miliardë euro kursime dhe masa për uljen e kostove deri në vitin 2026.
Drejtuesit e kompanisë thanë se pavarësisht çmimit të ulët, modeli i planifikuar i nivelit fillestar do të vendoste standarde për sa i përket teknologjisë, dizajnit dhe cilësisë, duke shtuar se kjo ishte bërë më sfiduese për shkak të kostove më të larta për energjinë, lëndët e para dhe fuqinë punëtore. “Një gjë është e qartë: elektromobiliteti nga Evropa për Evropën mund të ketë sukses vetëm me mbështetje politike dhe kushte konkurruese”, shtuan drejtuesit.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.