24 orë ujë, 310 mln lekë për projektin e Tiranës – UKT hap tenderin: Duhet të mbahet parasysh perspektiva 25-vjeçare
Ujësjellës Kanalizime Tiranë po kërkon një kompani për hartimin e projektit për furnizimin me ujë 24 orë të kryeqytetit për një perspektivë 25 – vjeçare.
Procedura e prokurimit publik ka një fond limit prej 310 mln lekë, ndërsa kërkon projektimin për njësitë 1, 2, 3, 4, 5 dhe drejtoritë rajonale.
Në dokumentet e tenderit, UKT saktëson se gjatë hartimit të projekteve te infrastruktures hidrike, duhet të mbahet parasysh studimi i Masterplanit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime dhe parashikimet e plan biznesit 2023 – 2027, që janë realizuar më herët.
Gjithashtu, për të përcaktuar saktë kapacitetin për të gjitha shërbimet e kërkuara, duhet patur parasysh koefiçienti i dendësisë së popullsisë, sipas Rregullores së Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime në fuqi prej 150 litra/sekondë/ banor, si dhe duhen marrë në konsideratë zhvillimet urbane të pritshme dhe në perspektivë të zonave të ndryshme të Tiranës për 20 vitet e ardhshme.
Kompanitë e interesuara duhet të dërgojnë ofertat e tyre deri në datën 1 korrik, ndërkohë që projektet do të duhet të jenë gati 36 muaj pas nënshkrimin të marrëveshjes kuadër.
Kjo do të thotë se vetëm pas dorëzimit të tyre, shoqëruar me preventivët përkatës këto projekte mund të tenderohen e më pas të nisë zbatimi i punimeve në terren.
Aktualisht, sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Ujit kohëzgjatja e furnizimit me ujë në Tiranë është 17 orë/ditë.
Ola Mitre/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.