Preferohen më shumë kartat e debitit për pagesa – Në 3 muajt e parë u kryen 116 milionë lekë transaksione në total
Në tremujorin e parë të këtij viti janë realizuar 9.8 milionë transaksione me karta bankare, ku rreth 9.3 milionë, ose 95% e të cilave ishin tërheqje cash nga bankomatet dhe pagesa në terminale POS.
Ndërkohë, depozitimet në ATM, tërheqjet cash në terminalet POS, transaksionet për mbushjen, rimbushjen, ose tërheqjen e vlerës së mbetur të parasë elektronike apo pagesat me para elektronike përbëjnë vetëm 5% të totalit të transaksioneve me kartë.
Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë, rezulton se vlera totale e transaksioneve në tre muajt e parë të vitit ishte 116 milionë lekë. Nga kjo shifër e përgjithshme, rreth 334 milion lekë ishin tërheqje cash nga bankomatet dhe 64 milion lekë pagesa me karta nga terminalet POS.
Nga ana tjetër, bankat kanë emetuar rreth 1.4 milionë karta të reja në tre muajt e parë të vitit 2024. Përkatësisht, 1.2 milion ose 98% e kartave janë debiti, ndërsa mbi 120 mijë janë karta krediti dhe 71 mijë karta me funksion paraje elektronike.
Ky është viti i dytë që bankat në Shqipëri nuk emetojnë më karta lokale apo American Express, ndërsa të vetmet karta në përdorim janë VISA me 735 mijë përdorues dhe MasterCard me 722 mijë.
Çdo vit shënon një numër më të madh transaksionesh dhe kartash të emetuara nga bankat, konkretisht një rritje prej mesatarisht 50 mijë kartash të reja nëse krahasojmë tremujorët e parë të viteve të ndryshme.
Kjo tendencë është tregues i uljes së përdorimit të parasë cash nga shqiptarët dhe rritjes më të madhe të kryerjes apo tërheqjes së pagesave me kartë. Ulja e parasë cash dhe qarkullimi më i madh i parasë përmes sistemit bankar, tregon rritje të formalizimit të ekonomisë dhe njëkohësisht të besimit të qytetarëve ndaj sektorit bankar.
Ledina Elezi/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.