Task Forca për Ujërat Larës nis kontrollet – Subjektet që s’kanë instaluar impiantet e trajtimit të ujërave të zeza, gjoba e deri heqje licence
Pas përfundimit të afatit 3-mujor për instalimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotur, Task Forca e Ujërave Larës ka nisur kontrollet në çdo subjekt për të certifikuar e monitoruar procesin.
Sipas Aktit Normativ të miratuar nga qeveria, subjektet që kryejnë aktivitete ekonomike në zonat bregdetare, si dhe në bregun e liqeneve dhe lumenjve, dhe shkarkonin ujërat e ndotur në ujëra larës kishin detyrimin që të instalonin impiantet e trajtimit dhe largimit të tyre, deri në javën e parë të muajit maj.
Ndërkohë që, me përfundimin e këtij afati parashikohej nisja e funksionimit të Task Forcës, që përmes kontrolleve në terren ka për detyrë të monitorojë zbatimin e këtyre detyrimeve.
Aktualisht nuk janë bërë publike të dhëna konkrete mbi ecurinë e procesit dhe zbatimin e detyrimit nga bizneset, ndërkohë që Task Forca ka të drejtë të vendosë masa administrative, në rast të konstatimit të shkeljeve. Akti Normativ i ndan subjektet në 3 kategori, në varësi të popullsisë ekuivalente, ndërkohë që masa e gjobave varion sipas kategorisë që i përket subjekti.
Vlera e tyre është parashikuar nga 1.5 mln lekë, në 2.65 mln lekë. Megjithatë, subjektet që nuk zbatojnë këto detyrime ligjore rrezikojnë edhe heqjen e licencës. Fillimisht, Task-Forca, me vendosjen e gjobës u lë 60 ditë afat subjekteve përkatëse për plotësimin e standardeve.
Nëse edhe pas 60 ditësh, detyrimi nuk është përmbushur subjekti gjobitet 2 – fish, ndërkohë që me përfundimin e sezonit turistik propozohet heqja e licencës, lejes ose autorizimit, për kryerjen e veprimtarisë ekonomike.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.