“Super tender” i FSHZH për projektime – Nga rrugët, urat, te rrjetet elektrike. Fondi limit në dispozicion është 333.34 mln lekë
Me një fond limit prej rreth 333.34 mln lekë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit synon hartimin e masterplaneve, projekteve të detajuar dhe dokumentet për tenderim për objekte të ndryshme, në mbështetje të programit 2024 – 2026. Ky dikaster ka hapur procedurën e prokurimit publik, të ndarë në 4 lote të ndryshme, sipas objekteve që synohen të projektohen, teksa konsulenti duhet të përcaktojë edhe vlerën e investimit për çdo projekt që do të hartohet.
Loti i parë përfshin hartimin e masterplaneve dhe projekteve të detajuar për objekte të konektivitetit, si: Rrugë dhe ura, furnizim me energji elektrike, rrjete telefonike dhe teknologji informacioni, rikualifikimit të shesheve urbane, parkime mbi tokë dhe nën tokë, shëtitore dhe fasada apo çdo projekt tjetër me natyrë të ngjashme në ndërhyrje infrastrukturore mbi tokë dhe nën tokë. Ky është edhe loti me fondin më të lartë limit, prej rreth 166,67 mln lekë.
Ndërkaq, loti i dytë përfshin projektimin për objekte civile, industriale, sportive, residenciale, publike apo kulturore, ndërsa loti i tretë përfshin objekte të trashëgimisë kulturore, restaurime të monumenteve të kulturës apo objekte të tjera të trashëgimisë kulturore, realizimin e muzeve, galeri arti, etj.
Sa i takon lotit të fundit të këtij tenderi ai përfshin hartimin e masterplaneve dhe projekteve të detajuar, gati për prokurim për objekte industriale, tekonologji, informacion, objekte ekologjike miqësore me mjedisin, bio-teknologjike, me eficiencë energjie, impiante trajtimi ujrash, blegtori, bujqësi, etj. Kompanitë e interesuara duhet të dorëzojnë ofertat e tyre deri në datën 5 korrik.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.