BE, 145 rekomandime Shqipërisë për gjyqësorin – Kryenegociatorja: Po përcaktohen masat për prioritetet e Planit të Rritjes Ekonomike
Shqipëria i ka përmbushur kushtet teknike për çeljen e negociatave për grupkapitullin e parë të legjislacionit të Bashkimit Evropian, EU acquis. Në Komisionin më të fundit për Çështjet Evropiane, u ngritën diskutime mbi progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe masat e marra për Planin e Rritjes Ekonomike.
Ministri i Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, u ndal në rekomandimet e dhëna nga Komisioni Evropian lidhur kryesisht me shtetin e së drejtës, duke shtuar se aktualisht po punohet që vendi ynë të anëtarësohet në BE në vitin 2030.
Majlinda Dhuka, Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatore
“Nga progres raporti i fundit, Komisioni Evropian ka dhënë rreth 761 rekomandime që duhen përmbushur nga Shqipëria, ku mbi 51% e rekomandimeve i përkasin grupkapitullit të parë. Nga 390 rekomandime të grupkapitullit të parë, 145 i përkasin vetëm gjyqësorit dhe të drejtave themelore. Ne kemi përgatitur një plan masash, konkretisht 548 masa për adresimin e këtyre rekomandimeve, të lidhura kryesisht me drejtësinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sa i përket mirëqeverisjes, kemi dy udhërrëfyes me masa për funksionimin e institucioneve demokratike dhe administratës publike.”
Lidhur me Planin e Rritjes Ekonomike që u miratua para një muaji dhe ku prej të cilit do t’i shpërndahen 6 miliard euro Ballkanit Perëndimor, Dhuka theksoi se aktualisht po bisedohet me Bashkimin Evropian se si do të procedohet me këtë fond në vijim.
“Plani i Rritjes Ekonomike është një instrument shumë i rendesishem dhe është tregues i progresit që ka bërë Shqipëria. Plani i Rritjes Ekonomike ka një axhendë të përbashkët masash midis Shqipërisë, Komisionit Evropian dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Aktualisht po punohet me përcaktimin e masave për prioritetet e planit.”
Kryenegociatorja kërkoi mbështetjen e Kuvendit për sigurimin e bashkëveprimit ndërmjet të gjitha institucioneve për lehtësimin e procesit të përafrimit të legjislacionit. Rreth 61 institucione janë plotësisht të angazhuara për përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga BE.
Ledina Elezi/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.