Pse duhet një letër referencë për punonjësit? – Muça: Në Shqipëri e aplikojnë vetëm kompanitë e mëdha
Kur aplikon për një vend të ri pune, në dokumentet e aplikimit kërkohet dhe letra e referencës e cila merret në punën aktuale apo në një vend pune të mëparshëm. Në strukturat e kompanive në Shqipëri kjo gjë nuk aplikohet në masë. Por pse mungon kultura e dhënies së letrës së referencës në vendin tonë?
Erion Muça Ekspert Punësimi:
“Në Shqipëri përveç mungesës së kulturës organizative në shumë sipërmarrje dhe kompani, ka dhe një perceptim negative lidhur me letrat e referencave, të lëshuara në gjithë këto vitet e fundit pasi shumica prej tyre bëhen në formatet e rekomandimeve miqësore dhe personale mes punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe herë pas here, përmbajtja dhe objekti i tyre nuk përkon me kontributin, profesionalizmin dhe arritjet reale dhe faktike të punonjësit brenda asaj kompanie.”
Por cilët janë ato kompani që pajisin një punonjës me letër reference në vendin tonë?
Erion Muça Ekspert Punësimi:
“Tregues është fakti që sa më e madhe të jetë kompania aq më shumë procese ka të sistemuara dhe të standardizura së brendshmi aq më shumë të mirë e ka të organizuar departamentin e Burimeve Njerëzore dhe pikërisht janë këto kompani që kanë një departament të mirëfilltë burimesh njerëzore, kanë indikatorë dhe instrumenta për të vlerësuar, matur performancën dhe efiçencën dhe produktivitetin në punë të cilat me shkëputjen në mënyrë të njëanshme nga ana e punonjësit.”
Një nga rastet kur letra e referencës mungon është në punët informale e cila e bën më të vështirë procesin e aplikimit për punë apo intershipe nëse do të jetë kriter në dokumentet e aplikimit.
Diamila Leka/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.