Gati regjistri digjital për fermat dhe peshkimin – 3.9 milionë euro për dy sisteme, të dhëna të sakta në kohë reale
Mungesës së të dhënave të sakta për fermat në bujqësi, duket se do ti vijë fundi. Ministria e Bujqësisë ka shpallur një tender për ngritjen e një sistemi që mbështet mbledhjen, verifikimin dhe raportimin e të dhënave në terren.
Sistemi do të ndihmojë që informacioni te jete i saktë dhe i përditësuar, si dhe të mblidhet dhe raportohet, duke ofruar një burim të vlefshëm për vendimmarrësit. Sistemi do të funksionojë sipas rrjetit të të dhënave të kontabilitetit të fermave (FADN), ku të dhënat e mbledhura zakonisht përmes këtij instrumenti përfshijnë vlerën e prodhimit të të korrave, stoqet, shitjet dhe blerjet, kostot e prodhimit, aktivet, detyrimet, kuotat e prodhimit dhe subvencionet, duke krijuar një pasqyrë të saktë ekonomike për to.
Tenderi i bërë publik në Agjencinë e Prokurimit Publik kap një vlerë prej rreth 2.4 milionë euro dhe do të jetë i hapur për aplikime deri më datën 8 korrik. Grupet e synuara janë persona fizik dhe juridikë, fermerë, puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë në fushat e prodhimit bujqësor dhe/ose të agro-përpunimit dhe rural.
Paralel me këtë, është shpallur edhe tenderi për ngritjen e Sistemit Elektronik të Regjistrimit dhe Raportimit të Aktivitetit të Peshkimit, me një fond limit prej rreth 1.5 milionë euro, i cili gjithashtu do të jetë i hapur deri më 8 korrik.
Qëllimi i kësaj kontrate është ngritja e një moduli elektronik, i cili ka për qëllim regjistrimin dhe monitorimin e aktiviteteve të peshkimit. Nga ky modul do te përftohet regjistrimi, përpunimi dhe transmetimi i të dhënave gjatë aktivitetit të peshkimit, (zënie, zbarkim dhe transbordim) në zbatim të ligjeve në fuqi, duke monitoruar dhe dokumentuar të plotë këtë aktivitet nga ana e Autoriteteve të Peshkimit. Aktualisht raportimi i aktivitetit te peshkimit, zhvillohet nga plotësimi i formularëve (librave të anijeve/logbook) në mënyrë manuale nga kapiteni i secilës anije/subjekt.
Të dhënat e akumuluara nga këto sisteme do të shërbejnë për hartimin më të mirë të politikave të Ministrisë së Bujqësisë për këto sektorë.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.