“Mungojnë punonjësit e kualifikuar” – Indeksi: Të përmirësohet më tej klima e të bërit biznes në Shqipëri
Gjetja e fuqisë punëtore të kualifikuar vazhdon të mbetet sfida më e madhe e bizneseve shqiptare. Kjo ishte një nga konkluzionet e Indeksit Vjetor të Biznesit, i cili u prezantua në Konferencën mbi “Ristrukturimin Ekonomik dhe Perspektivën e Re”, organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.
Arritjet e deritanishme të ekonomisë shqiptare, si tejkalimi i 100 milionë dollarëve në shkëmbimet tregtare, ishte një nga pikat në të cilat u ndal Ministri i Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
“Falë punës së Dhomës Amerikane të Tregtisë, shkëmbimet tona tregtare kanë arritur nivelin më të lartë ndonjëherë. Në vetëm 4 muajt e parë të vitit, i referohem të dhënave zyrtare të Byrosë Amerikane të Censuseve, kemi tejkaluar barrierën e 100 milionë dollarëve shkëmbime tregtare. Edhe më e rëndësishme për t’u theksuar është se struktura e këtij bilanci është ndër më të shëndetshmit në raport me tregtinë tonë me vendet e mëdha.”
Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Neritan Mullai, shpjegoi se cilat janë disa nga shqetësimet më të mëdha të bizneseve shqiptare dhe çfarë problematikash duhet të adresojë qeveria shqiptare sipas qytetarëve.
“Janë 5 parametra që anëtarët e Dhomës i kategorizojnë si shqetësimet më të mëdha të bizneseve dhe po ta shohim, vazhdon të jetë gjetja e fuqisë punëtore të kualifikuar problemi kryesor. Ka një rritje me 2 pikë krahasuar me vitin e shkuar, por përsëri është shumë i ulët. Parametrat e tjerë nën 40 pikë janë monopoli dhe konkurrenca e padrejtë, ekonomia informale apo niveli i taksave, që ndikojnë shumë në klimën dhe shëndetin e biznesit.
Një studim i Institutit Ndërkombëtar Republikan mbi prioritetet kryesore që duan qytetarët që të ketë qeveria, tregon se në 5 vende të Ballkanit Perëndimor, prioriteti kryesor është kostoja e jetesës dhe çmimet e larta, në Shqipëri kjo është e dyta, kryesorja është papunësia, që do të thotë kemi një korrelacion ku nga një anë ne themi është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe në anën tjetër themi papunësia. Pra, në të dyja kahet kemi probleme.”
Indeksi Vjetor i Dhomës Amerikane të Tregtisë mat perceptimin e bizneseve mbi treguesit kryesorë të klimës ekonomike dhe si mund të përmirësohen ato. Sipas këtij indeksi, ekonomia shqiptare ka treguar një performancë pozitive, por duhet të shtohen përpjekjet për përmirësimin e klimës së biznesit.
Ledina Elezi/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.