Profesionet e lira, Kushtetuesja tërhiqet për vendim – Afati ligjor, 30 ditë. Bizneset duhet të paguajnë këstet e para brenda muajit
Hotla Zaçaj, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese
“Deklarojmë mbylljen e shqyrtimit gjyqësor, trupa e gjykatës tërhiqet për të marrë vendim, data dhe ora e shpalljes së vendimit do t’ju komunikohen sipas parashikimeve ligjore”.
Në seancën e dytë të shqyrtimit të 4 padive të grupeve të interesit lidhur me taksimin e profesioneve të lira, e cila zgjati afro 45 minuta, Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar të mbyllur këtë çështje dhe do të shpallë vendimin e saj.
Referuar legjislacionit në fuqi, afati për dhënien e vendimit është 30 ditë, por ndërkohë 29 mijë profesionistëve të lirë do t’iu duhet që të paguajnë këstet e para të tatim fitimit deri më datën 30 Qershor, pasi në të kundërt penalizohen me gjobë.
Gjatë seancës së zhvilluar, Gjykata Kushtetuese dëgjoi edhe njëherë pretendimet e palëve dhe u njoh me provat respektive.
Prej disa muajsh profesionistët e lirë po kundërshtojnë regjimin e ri tatimor që rëndon mbi ta i cili llogaritet nga 15-23 për qind, me argumentin se është një taksim i padrejtë në raport me bizneset e vogla, i lartë dhe i papërballueshëm për të vetëpunësuarit.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.