Shqiptarët, blerje rekord diamantesh e metalesh të çmuara – Shifrat e INSTAT tregojnë rritje historike të importeve në 2 muajt e fundit
Shqiptarët kanë rritur ndjeshëm kërkesën për diamante dhe metale të tjera të çmuara. Shifrat e tregtisë së jashtme, të publikuara nga INSTAT, tregojnë se maji i këtij viti ka njohur një nivel historik të importit të tyre, duke arritur shifrën e 679 milionë lekëve. Tendencë rritje të fortë ka pasur edhe muaji i kaluar.
Në total, në 5 muaj Shqipëria ka importuar diamante dhe metale të tjera të çmuara në vlerë rreth 2.4 miliardë lekë. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, janar-maj 2023, kjo shifër ishte 1.6 miliardë lekë.
E konvertuar në peshë, mesatarisht Shqipëria ka importuar në muaj e mëparshëm 4-10 mijë kilogramë. Kurse në dy muajt e fundit, pesha e importeve të gurëve dhe metaleve të çmuara ka arritur në 46 dhe 52 mijë kilogramë.
Nëse analizojmë tendencën historike, importi i gurëve dhe metaleve të çmuara arrinte rekordin vjetor në festat e fundvitit por këtë vit, tendenca duket se është ndryshe.
Janë dy muaj të këtij viti ku Shqipëria ka importuar në shifra rekord, ndryshe nga vitet e mëparshme; në muajin shkurt ku festohet Shën Valentini dhe në muajin maj.
Nëse tendenca e importit në muajt në vijim do të vijojë të jetë e tillë, atëhere mund të projektohet një rekord historik vjetor i importit të diamanteve dhe metaleve të çmuara ai ari, argjendi etj.
Përveç përdorimeve të tjera, zotërimi i gurëve dhe metaleve të çmuara është një alternativë e rëndësishme investimi.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.