1/3 e popullsisë jeton në Tiranë – Cila është feja që dominon në Shqipëri?
Nga 2.4 milionë banorë në total, Tirana rezulton qarku me përqendrimin më të madh të popullsisë në rang vendi. Sipas Censit 2023, 1/3 e qytetarëve të vendit rezulton se jeton në kryeqytet. Konkretisht Qarku Tiranë numëron 758 mijë e 513 banorë dhe bashkia Tiranë zë një peshë prej 79 për qind.
Mosha mesatare e popullsisë shqiptare rezulton të jetë 42.5 vjeç, dhe ka pësuar një rritje me +7 vjet krahasuar me vitin 2011, çka tregon trendin e saj në plakje.
Sa i takon përkatësisë fetare, në Shqipëri, 66 % e popullsisë i përkasin një besimi të caktuar ndërsa 4 % janë deklaruar ateistë. Ndërkohë 10 % kanë refuzuar që të përgjigjen në pyetjen për përkatësinë fetare.
Shifrat tregojnë se në Shqipëri janë deklaruar 1 milionë e 102 mijë individë të besimit mysliman, 202 mijë të besimit katolik, 174 mijë të besimit ortodoks dhe 9.7 mijë të besimit ungjillor. Ndërkohë 3 mijë e 400 kanë deklaruar besime të tjera fetare.
Lidhur me përkatësinë etno kultutore, 91% deklaruan përkatësi shqiptare dhe 0.6% preferuan të mos përgjigjen. Sa i takon pakicave minoritare, në Shqipëri dominon minoriteti grek me 23.5 mijë individë, ndjekur nga komuniteti egjiptiane me 12.4 mijë individë, komuniteti rom me 9.8 mijë dhe ai bullgar me 7.1 mijë.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.