Grante për bizneset që ripërdorin mbetjet – Vendimi/ 2 milionë lekë për subjekt, kriteret për përfitim
Bizneset në kryeqytet që përdorin praktika të qëndrueshme në drejtim të ripërdorimit të mbetjeve të tyre do të mbështeten financiarisht me grante.
Vlera e ndihmës shtetërore për vitin 2024 është 20 milionë lekë në formën e grantit të drejtpërdrejtë nga fondet e miratuara për Bashkinë e Tiranës. Çdo përfitues do të mbështetet deri në shumën 2 milionë lekë.
Plani i ndihmës i miratuar nga qeveria për Bashkinë e Tiranës ka si objektiv mbështetjen financiare për biznese me fokus ripërdorimin me një qasje të integruar dhe gjithëpërfshirëse për të adresuar sfidat urgjente që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe praktikat e konsumit të qëndrueshëm. Skema e ndihmës parashikon që të ofrojë mbështetje për biznese të ndryshme që kryejnë veprimtari ekonomike në territorin e administruar nga Bashkia Tiranë, të promovojë adaptimin e praktikave të ripërdorimit të produkteve si dhe të sigurojë financimin për fazat e para për sipërmarrësit dhe qëndrueshmërinë e biznesit të tyre.
Rritja e aftësive dhe ndërgjegjësimit të popullatës dhe komuniteteve lokale në lidhje me konceptet e ekonomisë qarkulluese; fuqizimi i femrave sipërmarrëse që do të vënë në zbatim metodat e ripërdorimit të produkteve në qytetin e Tiranës; identifikimi dhe pilotim i zgjidhjeve miqësore me mjedisin, me fokus reduktimin e përdorimit të materialeve njëpërdorimshe janë gjithashtu ndër qëllimet që synon të arrijë kjo mbështetje.
Plani i ndihmës do të zbatohet në periudhën 2024– 2025 nga Bashkia e Tiranës.
Ndihma do të jepet pasi Komisioni Vlerësues i Mbështetjes Financiare (KVMF) do të bëjë vlerësimin e aplikimeve me pikë dhe akordimin e granteve për llogari të biznese përfituese.
Avantazh kanë ata përfitues, të cilët nuk do të mund ta kishin përfituar mbështetjen me grante në kushte normale të tregut.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.