Rajonalizimi i prodhimit, për çfarë shquhen qarqet në vend? – Shqipëria e ndarë në territore/ Nga perimet, arrorët deri tek vreshtat
Prodhimi bujqësor vendas ku më pak e ku më shumë ka shënuar rritje përgjatë vitit 2023. Por cilat kultura dominojnë në qarqe të caktuara dhe si është rajonalizuar Shqipëria sipas prodhimit?
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se prodhimi i drithërave në vitin që lamë pas regjistrohet në 701 mijë ton, dhe qarku i Fierit ka nivelin më të lartë duke zënë një peshë rreth 25% në raport me totalin. Ky qark prodhon rreth 176 mijë ton drithëra, ku përfshihen gruri, misri, elbi, etj.
Në vitin 2023, prodhimi i patates regjistrohet në 274 mijë tonë, duke shënuar një rritje me 4,38 %, në krahasim me vitin 2022. Qarku që kanë nivelin më të lartë të prodhimit të patates në vend është Korça me 68.4 mijë ton.
Ndërsa prodhimi i perimeve gjatë vitit që lamë pas ka arritur në nivelin e 1.3 milionë ton. Fieri është qarku që mban rekord për prodhimit të perimeve me rreth 544 mijë ton.
Prodhimi i perimeve në serra përfaqëson 22,4 % të prodhimit gjithsej të perimeve, ku Qarku me përqindjen më të lartë të prodhimit të perimeve në serra ndaj prodhimit të perimeve gjithsej është Berati me 69% . Përqindja më e ulët është shënuar në qarkun Gjirokastër
Prodhimi i drufrutorëve përfaqësohet nga prodhimi i pemëve frutore, ullinjve, agrumeve dhe rrushi. Niveli më i lartë i prodhimit të pemëve frutore u arrit në qarkun e Korçës me afro 74 mijë ton.
Arrat dhe gështenjat zënë 82,11 % të prodhimit në grupin e pemëve frutore arrore. Niveli më i lartë i prodhimit të arrave në këtë grup shënohet në Qarkun e Dibrës me 2400 ton.
Prodhimi i agrumeve në vitin 2023 rezulton në 56.7 mijë ton. Qarku i Vlorës ka nivelin më të lartë me rreth 63,1 % të prodhimit të agrumeve gjithsej.
Ullinjë dhe vreshtat dominojnë në qarkun e Fierit. Rajonalizimi i prodhimit deri më tani është diktuar edhe nga kushtet klimatike të secilit rajon.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.