Qumështi arrin “pikën e vlimit”, bie sasia për konsum – Më pak djathtë dhe gjalpë “Made in Albania” në treg për shqiptarët e turistët
Elisabeta Dosku/ SCAN
Tashmë nuk është më çështje zgjedhjeje, nëse konsumatorët shqiptarë apo turistët e huaj preferojnë produkte vendi apo importi, pasi sasia e bulmetit “Made in Albania” në treg është e kufizuar.
Të dhënat zyrtare të INSTAT për vitin 2023, tregojnë se sasia qumështit të grumbulluar rezulton rreth 101 mijë tonë, duke shënuar rënie me 8,0 %, krahasuar me 2022.
Gjatë kësaj periudhe, sasia e qumështit të lopës të grumbulluar është rreth 80 mijë tonë, duke pësuar rënie me rreth 7,6 %, krahasuar me vitin 2022, sasia e qumështit të deles regjistrohet në 13 mijë tonë, duke shënuar rënie me rreth 10,6 % dhe qumështi i dhisë është grumbulluar në rreth 8 mijë tonë, duke shënuar rënie me 8,2 %, krahasuar me vitin 2022 .
Kjo rënie ka ardhur për shkak të fenomenit të shpopullimit të fshatrave, rënies drastike të numrit të bagëtive në vend, ku mesa duket mbështetja me financim e fermerëve nuk ka dhënë efektin e pritshëm.
Nga sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar, rreth 13 mijë tonë është përdorur për prodhimin e qumështit për konsum njerëzor, pjesa tjetër shkon për përpunim.
Dhe duke qenë se sasia e qumështit të grumbulluar nga fabrikat ka pësuar rënie, ky trend ka sjellë rrjedhimisht edhe më pak nënprodukte të qumështit në treg.
Konkretisht sasia e prodhuar e djathit gjithsej pësoi rënie me 7,7 %. Sasia e prodhuar e gjalpit gjithsej për vitin 2023 është rreth 608 ton, që gjithashtu ka pësuar një rënie me 174 ton në raport me një vit më parë.
Kjo situatë i vendos në pozicion të vështirë kompanitë e përpunimit të qumështit, duke bërë që të orientohen drejt importit për gjetjen e lëndës së parë dhe nga ana tjetër edhe qytetarët të cilët indirekt do të detyrohen të konsumojnë produkte importi dhe pse mund të jenë të orientuar drejt prodhimit vendas.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.