Aeroporti i Rinasit nuk preket nga blackout-i botëror. Por mund të ketë vonesa në orët në vijim nga aeroportet e tjera
Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit ka dalë me një reagim mbi situatën e krijuar mëngjesin e sotëm nga ndërprerja e funksionimit të sistemeve kompjuterike, në nivel botëror, që ka prekur shërbimin e sistemit të check-in dhe rezervimit. Sipas njoftimit, sistemi i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës nuk është prekur nga rënia e sistemeve kompjuterike botërore.
Fluturimet e orareve të mëngjesit janë nisur në kohë dhe pa probleme. Kjo pasi Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka një sistem të dyfishtë, i cili mundëson funksionimin pa probleme të tij. Megjithatë, vonesa pritet të shkaktohen nga “blackout” në aeroportet e tjera.
Këto vonesa mund të shkaktohen në orët në vazhdim nga fluturimet që do të vijnë prej aeroporteve të tjera në varësi të sistemeve të ndryshme të operimit.
Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit ka bërë thirrje që pasagjerët të informohen në vijimësi përmes zyrës së informacionit të aeroportit për oraret e fluturimeve dhe ndryshimin e mundshëm të tyre.
Kjo ndërprerje në sistemet e teknologjisë së informacionit ka ndikuar bizneset, linjat ajrore, mediat, bankat, agjencitë qeveritare dhe organizatat e tjera, pasi një kompani softuerësh për sigurinë kibernetike u përball me një problem të madh teknik. Problemi në sistemin operativ të Ëindoës ka bërë që mijëra fluturime të anulohen në mbarë botën, shumë individë nuk mund të kryejnë transaksione bankare online, si dhe ka pasur ndërprerje të shërbimeve mjekësore në spitale.
Ledina Elezi/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.