Çfarë parashikon strategjia Kundër Korrupsionit 2024-2030? – Objektivat/ Nga forcimi i kapaciteteve institucionale, te edukimi i të rinjve!
Diamila Leka/ SCAN
Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit përcakton objektiva specifike, programe, masa si dhe aktivitete që do të arrijnë qëllime dhe rezultate. Qëllimi i Strategjisë është që përmes një qasje të trefishtë të bazuar në parandalim, ndëshkim, dhe ndërgjegjësim të adresojë sfidat kryesore të luftës kundër korrupsionit.
Por çfarë është parashikuar në Strategji?
Që në krye të herës është përcaktuar objektivi për forcimin e kornizës ligjore dhe të kapaciteteve institucionale në parandalimin e korrupsionit ku midis tjerave rezultati i arritshëm pritet të jetë një adiministratë publike, rezistente dhe funksionale kundër korrupsionit.
Gjithashtu në objektivat e Strategjisë është parashikuar dhe zhvillimi i një qasjeje të qendrueshme për parandalimin e korrupsionit në sektorët me risk si dhe forcimi i mekanizmave të parandalimit të korrupsionit në njësitë e Vetëqeverisjes Vendore etj.
Një nga objektivat ku është ndalur strategjia është dhe mbrojtja e financave dhe aseteve publike nga keqpërdorimi gjatë ushtrimit të funksionit publik. Dhe si rezultat i pritshëm është forcimi i efektivitetit të auditimit të brendshëm dhe të jashtëm si dhe të kontrollit financiar.
Por cilat janë masat prioritare të qeverisë për zbatimin e dokumentit strategjik?
Rëndësi të veçantë u është dhënë parandalimit të korrupsionit në menaxhimin e sektorëve vulnerabël, forcimi i kuadrit ligjor për sinjalizimin dhe sinjalizuesit, krijimi i kornizës legjislative dhe institucionale për lobim, forcimi i kapaciteteve institucionale për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin penal të korrupsionit si dhe Rritja e ndërgjegjësimit dhe komunikimit të vazhdueshëm të qytetarëve për pasojat negative të korrupsionit në shoqëri.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.