Tenderët, institucionet vendosin kritere të panevojshme – APP iu tërheq vëmendjen: Çdo kërkesë specifike duhet argumentuar
Ola Mitre / SCAN
Institucionet shtetërore përcaktojnë kritere të veçanta në tenderë, që nuk kanë lidhje me objektin e kontratës ose që tejkalojnë nevojat për zbatimin me sukses të saj e që nuk janë të argumentuara teknikisht në procesverbalin për argumentim e tyre. Konstatimi vjen nga Agjencia e Prokurimit Publik që përmes një rekomandimi iu kërkon autoriteteve kontraktore të zbatojnë legjislacionin në fuqi, që parashikon se çdo kriter i veçantë dhe specifikim teknik duhet të argumentohet teknikisht dhe ligjërisht.
Sipas APP-së këto problematika janë konstatuar kryesisht në kontratat për punë, ku institucionet prokuruese përcaktojnë shpesh kërkesa për disponimin e kategorive të licencave profesionale për zbatimin e punimeve të ndërtimit, që nuk përputhen me zërat e punimve që parashikohen të kryhen ose nuk janë të përfshira në preventivin e punimeve. Po ashu vendosen kritere në lidhje me fuqinë punëtore që duhet të disponojnë operatorët ekonomikë, pa argumentuar teknikisht këtë kriter.
Vendosja e kritereve specifike është një nga format që institucionet përdorin për paracaktimin e fituesve të tenderit, ndërkohë që në rekomandim APP iu sjell në vëmendje institucioneve të vendosin kritere që janë të nevojshme vetëm për të garantuar kapacitetet e nevojshme të operatorit ekonomik për zbatimin e kontratës.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.