1.23 miliardë lekë për të luftuar korrupsionin – Nga parandalimi, te ndërgjegjësimi, cilat janë objektivat kryesore?
Diamila Leka/ SCAN
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, këtë të hënë prezantoi strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit. Kjo strategji ka synim tre qëllime kryesore.
Parandalimi i korrupsionit është qëllimi i parë i cili ka për objektiv forcimin e kornizës ligjore dhe kapaciteteve institucionale, forcimin e transparencës e deri në promovimin e integritetit të sektorit privat.
Qëllimi i dytë është ndëshkimi i korrupsionit dhe ka për objektiv forcimin e kapaciteteve ligjzbatuese, si dhe atyre profesionale për hetim penal efektiv. Ndërsa qëllimi i tretë është ndërgjegjësimi dhe edukimi kundër korrupsionit, ku për objektiv ka rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për pasojat negative të korrupsionit si dhe edukimin e të rinjve mbi etikën.
Por sa është kostoja për të zbatuar gjithë objektivat e Strategjisë Kundër Korrupsionit?
Sipas dokumentit, qëllimi i parë i cili përkon me parandalimin e korrupsionit do të kushtojë rreth 910 milionë lekë për t’u zbatuar. Qëllimi i dytë i cili ka fokus ndëshkimin e korrupsionit arrin në vlerën e rreth 282 milionë lekëve dhe qëllimi i tretë i cili ka fokus ndërgjegjësimin si dhe edukimin kundër korrupsionit ka një vlerë rreth 42 milionë lekë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.