Si do të certifikohen operatorët turistik detar? – Projektligji, në Kuvend. Së pari, duhet të licencohen sipas ndryshimeve në ligj
Diamila Leka/ Scan
Projektligji “Për disa ndryshime “Për turizmin Detar”, ka mbërritur në Kuvend ndërsa përcakton se operatorët turistikë të cilët kërkojnë certifikime për aktivitetet e turizmit detar, së pari do duhet të licencohen sipas ndryshimeve të ligjit.
Por cilat janë disa nga aktivitetet e turizmit detar?
Sipas projektligjit janë 5 aktivitete të cilat ushtrohen nga operatorët e turizmit detar, duke filluar nga lundrimi për zbavitje, peshkimi turistik, peshkimi nën ujë, zhytja çlodhëse, aktivitete të tjera ujore si kitesurfing, windsurf, ski në ujë, motor uji etj.
Për t’u licencuar si objekt i veprimtarisë së operatorit të turizmit detar pasi nuk është i njëjtë me atë të operatorit turistik dhe, për t’u licencuar si i tillë, duhet që drejtuesi Teknik dhe përfaqësuesi ligjor të zotërojnë një diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve në fushën e turizmit, si dhe të kenë eksperiencë të mëparshme në fushën e turizmit. Gjithashtu të zotërojnë një gjuhë të huaj në nivelin B2 dhe një gjuhë të huaj të dytë në nivelin B1.
“Kriteret e sipërpërmendura nuk kanë asnjë ndikim në garantimin e sigurisë për ushtrimin e veprimtarisë së operatorëve të turizmit detar dhe licencimi, në radhë të parë, si operator turistik mbingarkon subjektet me procedura dhe kritere, plotësimi i të cilave nuk është domosdoshmëri për të ushtruar një nga aktivitetet e turizmit detar.”, thuhet në projektligj.
Ndërkohë efektet e pritshme nga ndryshimet e propozuara janë krijimi i një klime të favorshme biznesi për subjektet që ushtrojnë veprimtari të turizmit detar nëpërmjet heqjes së kritereve të panevojshme dhe lehtësirave procedurale pa cenuar cilësinë dhe standardet e ofrimit të shërbimit, si dhe sigurinë e turistëve.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.