Jep dorëheqjen kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla
Lindita Nikolla ka dhënë dorëheqjen nga detyra e Kryetares së Kuvendit, pas 3 vitesh që mbante këtë detyrë. Në mbyllje të sesionit parlamentar, Nikolla tha se largohet nga kjo detyrë për shkaqe personale shëndetësore.
“Të dashur kolegë të maxhorancës parlamentare dhe të respektuar kolegë të opozitës parlamentare!
Këtu, sot, mbyllet shërbimi im trevjeçar në krye të Kuvendit, si rezultat i një situate personale shëndetësore, e cila ma bën të pamundur ta kryej detyrën e lartë të funksionarit të dytë të shtetit me angazhimin kërkues që kjo detyrë kërkon.
Jam përpjekur të jap më të mirën time çdo ditë, për të siguruar mbarëvajtjen e punës së këtij parlamenti. Pa i hyrë në hak askujt në këtë sallë.
Nëse dikujt i kam krijuar një përshtypje tjetër e siguroj se nuk ka qenë në asnjë mënyrë qëllimi im. Nëse me ndokënd kam gabuar padashje i kërkoj ndjesë” tha Nikolla ndërsa njoftoi vendimin.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.