Bankat rrisin në 21.6% rezervën në rast falimentimi – Ruajnë mjaftueshëm kapital dhe mjete financiare për shmangien e kolapsit
Ledina Elezi/SCAN
Pesë nga 11 banka në vendin tonë e kanë përmbushur objektivin prej 18.2% të Bankës së Shqipërisë për mbajtjen e një sasie të caktuar kapitali dhe instrumentesh financiare, si për shembull obligacione, sasi e cila përdoret si rezervë për kompensimin e humbjeve të bankave, në rast se këto të fundit përballen me kriza financiare ose rrezikojnë falimentimin.
Në raportin mbi ecurinë e kërkesës minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara, MREL, theksohet që bankat e kanë tejkaluar këtë objektiv në gjysmën e parë të vitit, duke arritur një mesatare prej 21.6% në rezerva. Kjo nënkupton se ato kanë lënë mënjanë mjaftueshëm para dhe instrumente financiare për të përballuar kriza të mundshme.
Në Shqipëri, 5 banka konsiderohen si kritike për stabilitetin financiar, pasi kontrollojnë rreth 75% të totalit të aktiveve bankare. Si rezultat, vetëm këtyre bankave u kërkohet që të përmbushin këtë objektiv, për shkak se një problem financiar i tyre mund të shkaktojë kolapsin e të gjithë sistemit.
Në vitin 2027 synohet që bankat të kenë një rezervë të barabartë me 24.9% të ekspozimeve të tyre të ponderuara me rrezikun, të cilat i referohen rrezikshmërisë së aktiviteteve të një banke. Sa më i lartë të jetë rreziku, aq më shumë rezerva duhet të mbajë banka si amortizues. Ky është objektivi përfundimtar që bankat duhet të arrijnë për të përmbushur kërkesën MREL deri në vitin 2027, duke siguruar që ato të kenë mjaftueshëm amortizues financiarë për të menaxhuar krizat në mënyrë efektive.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.