A do të jetë bashkimi i shekullit? – Aleanca europiane që do të ndryshojë industrinë globale të automjeteve
Ndërsa kinezët duket se vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj prodhuesve europianë dhe BE-ja ka vendosur për rregulla më të ashpra mjedisore, dy grupe të mëdha europiane duket se janë shumë pranë një marrëveshjeje. Renault dhe Stellantis, janë në proces drejt një një bashkëpunimi më të ngushtë apo edhe për një bashkimi të mundshëm.
Kryetari i Stellantis, John Elkann, ka hedhur poshtë spekulimet për një bashkim të mundshëm me Renault, pas raportimeve për një kombinim të udhëhequr nga Franca për të kundërshtuar konkurrencën kineze dhe gjermane. Elkann sqaroi se nuk ka plane në shqyrtim për bashkime me prodhues të tjerë.
Stellantis është fokusuar në zbatimin e një plani që përfshin punën me qeverinë italiane dhe palët e interesuara të industrisë për të adresuar sfidat e tranzicionit drejt elektrifikimit.
Thashethemet fillimisht kishin çuar në rritje aksionet e Renault, por deklarata e Elkann zbuti shqetësimet, duke thënë se një bashkim i tillë do të përballej me pengesa antitrust dhe çështje sociale për shkak të mbivendosjeve të objekteve në Francë.
Shefi ekzekutiv i Stellantis, Carlos Tavares, ka komentuar më parë mundësinë e bashkimeve në industrinë e makinave, duke përmendur faktorë të tillë si rritja e prodhuesve kinezë dhe synimi i BE-së për të hequr gradualisht motorët me djegie të brendshme.
Tavares sugjeroi që autoritetet antitrust do t’i merrnin parasysh këto kushte kur miratonin marrëveshje të mëdha. Ndërsa Tavares ka shprehur interesim për Renault, ai nuk e ka përjashtuar interesin e mundshëm në të ardhmen për prodhuesit e tjerë të automjeteve.
Qeveria italiane ka shprehur shqetësime për veprimet e Stellantis, duke nxitur diskutime për një përfshirje të mundshme të shtetit në formë kundërpeshe ndaj ndikimit francez.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.