A mundet ‘Korridori i Mesëm’ të ofrojë një rrugë të sigurt tregtare që anashkalon Detin e Kuq?
I ashtuquajturi “Korridori i Mesëm”, një rrugë tregtare që do të lidhë tregjet kineze dhe europiane përmes Azisë Qendrore dhe Kaukazit, ishte fokusi i Forumit të 5-të të Ballkanit dhe Detit të Zi të mbajtur të enjten më 15 shkurt.
Delegatët në konferencë promovuan Korridorin e Mesëm si një mundësi për një rrugë tregtare të qëndrueshme mes tensioneve të përshkallëzuara në Lindjen e Mesme dhe luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.
Tregtia globale nëpër rrugët tradicionale është ndërprerë nga këto kriza. “Të gjitha krizat, secila në mënyrën e vet, ndikojnë në rrugët tregtare globale.
Në fund, bëhet fjalë për rritjen e kostove: rritje të kostove të transportit, të sigurisë dhe të komunikimit,” tha Dimitrios Rallis, Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Sekretariatit të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.
Një korridor i mesëm, i cili do të shtrihej nga kufiri lindor i Kazakistanit me Kinën dhe do të transportonte mallra në Europë përmes Detit Kaspik dhe Detit të Zi, mund të përgjysmojë kohën e udhëtimit midis kufirit perëndimor të Kinës dhe Europës, sipas një raporti të publikuar nga Banka Botërore në nëntor 2023. .
Kritikët thonë se propozimi ka rreziqe, duke përfshirë lehtësimin e ambicieve të ndryshme gjeoekonomike të Rusisë dhe Kinës.
Pengesat në tregtinë globale vazhdojnë ndërsa rebelët Houthi të mbështetur nga Irani vazhdojnë të godasin anijet tregtare në Detin e Kuq me sulme me dronë dhe raketa.
Rruga ujore, e cila përbën deri në 12% të tregtisë globale, është jetike për ruajtjen e flukseve tregtare që vijnë në Europë. Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin e njohur si UNCTAD vlerëson se vëllimi i tregtisë përmes Detit të Kuq ka rënë me 42% gjatë dy muajve të fundit.
Bashkimi Europian ka nisur një mision detar me porosi të quajtur ‘Mission Aspides’ për të mbrojtur anijet e operuara nga europianët, për të rivendosur lirinë e lundrimit në rajon dhe për të stimuluar tregtinë në nivelin e saj të mëparshëm.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.