Vëzhgimi/ Si po avancon Unaza e Madhe e Tiranës – Punimet në të gjithë veprën pritet të mbyllen në fund të vitit!
Ndodhemi në lotin 5 të Unazës së Madhe, që është një nga 4 lotet e Unazës së Jashtme të Tiranës e që pritet të bëjë bashkimin e gjithë kësaj vepre infrastrukturore. Punimet në këtë lot kanë arritur në masën 40-50%, ndërkohë që autoritetet kanë deklaruar se gjithë Unaza e Madhe pritet të përfundojë në fund të vitit.
Në javët e fundit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur prishjen e disa objekteve, me qëllim lirimin e sheshit për kryerjen e punimeve. Ndërkohë që, për disa objekte të tjerë, ende nuk është finalizuar vendimi i prishjes.
Unaza e jashtme e Tiranës fillon në afërsi të Shkozës, duke zbritur në faqen veriore të Kodrës së Priftit, drejt zonës së Kinostudios. Më pas segmenti vazhdon drejt veriut, zbret drejt lumit të Tiranës e më pas bëhet bashkimi me segmentin Babrru – Bregu i Lumit – Kthesa Kamëz.
Punimet në lotet 4, 5, 6 dhe 7, ku aktualisht po punohet kanë ecur me ritme të ndryshme, për shkak të procesit të shpronësimeve për banesat që preken nga projekti.
Tenderët për këto 4 lote, që përfshijnë pjesën veriore të Unazës së Madhe të Tiranës u hapën në gusht të vitit 2021.
Referuar procedurave tenderuese të zhvilluara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar gjatë vitit 2021, në total ofertat fituese për 4 lotet e Unazës së jashtme të Tiranës, arrijnë në rreth 7.7 mld lekë.
Loti më i kushtueshëm është loti 7, me një vlerë prej 2.26 mld lekë, ndërkohë që kostot për segmentet e tjerë të rrugës variojnë midis 1.8 – 2 mld lekë. Unaza e Madhe e Tiranë financohet nga buxheti i shtetit, ndërsa është konsideruar një ndër investimet publike më të rëndësishme.
Përfundimi i 4 loteve do të shënojë dhe bashkimin e tyre me segmentet e përfunduar tashmë, duke sjellë lehtësim të trafikut në kryeqytet.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.