Gati baza ajrore e NATO-s, inaugurimi më 4 Mars – Publikohen për herë të parë pamjet nga baza e Kuçovës
Përgatitjet janë drejt përfundimit për bazën ajrore të aleancës ushtarake të NATO-s në qytezën e Kuçovës, e cila do të përurohet më 4 mars. Komandanti i Forcës Ajrore të Shqipërisë, gjeneral brigade Ferdinand Dimo, tha se trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të saj, së shpejti do të akomodohen, stërviten dhe fluturojnë duke u nisur nga kjo bazë ajrore.
“Në vitin 2021 u parashikuan të kryheshin investimet për rivitalizimin e instalimeve të bazës së Kuçovës. Tashmë sot jemi në përfundim të implementimit të 3 projekteve të rëndësishme siç është sistemi i rrethimit dhe i sigurisë, po ashtu edhe i mbrojtjes perimetrale të bazës. Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare”- sqaron Komandanti i Forcës Ajrore.
Gjeneral brigade Ferdinand Dimo, tregoi dhe detaje se si do të funksionojë kjo bazë.
“Jemi në përfundim të të gjitha punimeve që trupat e Forcës Ajrore të stërviten në këtë bazë. Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s”-shtoi Dimo.
Baza taktike e NATO-s në Kuçovë sipas Ministrisë së Mbrojtjes, do të shërbejë pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik të gjithë qarkut të Beratit me një impakt zhvillimor në komunitet dhe në të gjithë qytetin e Kuçovës. Shqipëria është anëtare e NATO-s prej vitit 2009. Baza e Kuçovës u përmend edhe nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken gjatë vizitës së tij në Tiranë më 15 shkurt. Në ceremoninw e inagurimit mw 4 mars, do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe SHBA.
Punimet për rikonstruksionin e saj, nisën në janar të vitit 2022. Prej asaj kohe është punuar për sistemin e rrethimit dhe të sigurisë e po ashtu të mbrojtjes në perimetrin ku shtrihet kjo bazë. Pas rikonstruksionit të bazës së Kuçovës, kryeministri Edi Rama kërkoi që të procedohet sa më shpejt në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për ta bashkëfinancuar me NATO-n rikonstruksionin e bazës së re detare në Porto Romano.
Alida Lula/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.