Aeroporti i Stambollit, më i ngarkuari në Europë – Numri mesatar ditor i fluturimeve vitin e kaluar u rrit me 19%
Numri mesatar ditor i fluturimeve në Aeroportin e Stambollit në vitin 2023 u rrit me 19% krahasuar me një vit më parë dhe më 22 qershor u vendos një rekord i ri me 1684 fluturime. Sipas raportit, në vend të dytë është Aeroporti ‘Schiphol’ i Amsterdamit me mesatarisht 1255 fluturime, ‘Heathrow’ i Londrës me 1251 fluturime, Paris – ‘Charles de Gaulle’ me 1247 fluturime dhe Aeroporti i Frankfurtit me 1179 fluturime.
Në këtë mënyrë për të dytin vit rradhazi aeroporti turk shpallet më i ngarkuari në Europë me një mesatare prej 1375 fluturimesh në ditë, sipas raportit të Organizatës Evropiane për Sigurinë e Navigimit Ajror – Eurocontrol për vitin 2023. Aeroporti i Stambollit ishte më i ngarkuari në Europë dhe gjatë vitit 2021. Dhe në vitin 2022 u vlerësua si Aeroporti i Vitit në Çmimet e Transportit Ajror 2022.
I hapur zyrtarisht në tetor 2018, të gjitha fluturimet komerciale u zhvendosën nga Aeroporti Atatürk i Stambollit në këtë objekt të ri më 6 prill 2019. Ndërsa shumë aeroporte u përballën me vështirësi për shkak të pandemisë COVID-19, ky nuk ishte rasti në Aeroportin e Stambollit. Ai la pas Heathroë të Londrës që mbante vendin e parë si aeroporti më i ngarkuar i Europës në vitin 2020.
Çdo vit, dhënia e çmimeve organizohet nga disa kompani, duke përfshirë Hermes – Organizata e Transportit Ajror. Në komitetin përzgjedhës përfshihen përfaqësues nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve, Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror dhe Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.