Ari ngjitet pranë 2,050 USD për onz – Tregjet vlerësojnë se FED do të ulë interesat në takimin e marsit
Metalet e çmuara i janë rikthyer fitimeve, me arin që po tregtohet në nivelin më të lartë në 1 javë, pasi Rezerva Federale njoftoi se do ti japë fund ciklit të rritjes së interesave dhe sinjalizoi uljen e kostove të huamarrjes në vitin 2024. Kontrata “spot” për arin po tregtohet në mbi 2,030 dollarë për onz, ndërsa kontrata “futures” po tregtohet në rreth 2,045 dollarë.
Në sesionin e kaluar të dyja kontratat u rritën me 2.5%. Rezerva Federale i mbajti të pandryshuara normat e interesit, për takimin e tretë radhazi, siç pritej gjerësisht nga investitorët. Thuajse në unanimitet, 17 nga 19 zyrtarët e bankës qendrore parashikojnë se normat e interesit do të jetë më e ulët deri në fund të 2024-ës.
Pas këtyre komenteve, dollari amerikan ra në nivelin më të ulët në 2 javët e fundit, përballë monedhave kryesore ndërkombëtare, duke e bërë arin më pak të shtrenjtë për zotëruesit e monedhave të tjerë.
Edhe yield-i i obligacioneve 10-vjeçare amerikane ra në nivelin më të ulët që nga gushti i këtij viti. Tashmë tregjet po vlerësojnë rreth 73% mundësi se ulja e parë e interesave do të vijë në takimin e marsit.
Gjatë pjesës së parë të sesionit të sotëm, investitorët ishin në pritje edhe të vendimeve të Bankës Qendrore Europiane dhe Bankës së Anglisë. Ndër metalet e tjera, argjendi është rritur me rreth 5% të vlerës dhe po tregtohet në rreth 24.3 dollarë për onz, ndërsa platini po tregtohet në rreth 950 dollarë për onz.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.