Ari zbret drejt 2,000 dollarëve – Brenda një jave bie me rreth 130 USD, fokusi te bankat qendrore
Ari po qëndron në rënie në sesionin e sotëm dhe i është afruar më shumë nivelit të 2,000 dollarëve, me investitorët që po presin takimin e Rezervës Federale, të martën dhe të mërkurën, për të mësuar më tepër në lidhje me normat e interesit. Tregjet po presin edhe të dhënat e rishikuara mbi inflacionin në SHBA, që do të publikohen përpara takimit të Rezervës Federale. Ari po tregtohet në rreth 2,005 dollarë për onz, ndërsa argjendi po tregtohet në rreth 23.2 dollarë për onz.
Të premten e kaluar, të dhënat mbi punësimin në SHBA komplikuan pritshëritë në lidhje me normat e interesit. Ekonomia amerikane krijoi edhe 199 mijë vende të reja pune, gjatë nëntorit, ndërsa analistët parashikonin 180 mijë vende të reja pune.
Raporti i shtyu tregtarët të zvogëlojnë pritshmëritë se Rezerva Federale mund të ulë normat e interesit që në mars. Për të pasur një panoramë më të qartë mbi gjendjen e ekonomisë amerikane, tregjet do të presin raportin e çmimeve të konsumit për nëntorin, që publikohet të martën.
Rezerva Federale pritet gjerësisht ta lërë normën bazë të interesit, të pandryshuar në 5.25%-5.5%. Banka Qendrore Evropiane, Banka e Anglisë, Banka Qendrore e Norvegjisë dhe dhe Banka Kombëtare e Zvicrës do të zhvillojnë gjithashtu takimet e tyre mbi politikat monetare të enjten.
Goldman Sachs parashikon që Rezerva Federale do të ndërmarrë uljen e parë të interesave në tremujorin e tretë të vitit të ardhshëm, më herët se parashikimi i mëparshëm për tremujorin e katërt, duke cituar lajmet më të mira mbi inflacionin. Ndër metalet e tjera, platini po tregtohet në rreth 915 dollarë për onz, ndërsa paladiumi po tregtohet në rreth 940 dollarë për onz.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.