Nafta, e qëndrueshme në mbi 75 USD – SHBA rrit kërkesën, pasi po mbush rezervat strategjike
Nafta po tregtohet e qëndrueshme në sesionin e sotëm, ndërsa një mbështetje e ka gjetur nga përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të mbushur rezervat strategjike. Në anën tjetër, rritja po kufizohet nga shqetësimet e vazhdueshme për ngadalësimin e kërkesës, gjatë vitit të ardhshëm.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 75.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 71 dollarë për fuçi. Të dyja kontratat u rritën me rreth 2% në sesionin e së premtes, por publikuan humbje për të shtatën javë me radhë, seria më e gjatë e rënies që nga viti 2018. Por, rënia e fundit e çmimeve tërhoqi interesin e SHBA, që ka kërkuar deri në 3 milionë fuçi naftë bruto për të mbushur Rezervat Strategjike të Naftës.
Pavarësisht se Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e tjerë, që ndryshe njihen si OPEC+, janë zotuar të ulin prodhimin me 2.2 milionë fuçi në ditë, në tremujorin e parë 2024, investitorët mbeten skeptikë se oferta do të bjerë, ndërsa vendet që nuk janë pjesë e OPEC+ do ta rrisin prodhimin, gjatë vitit të ardhshëm.
Ndër zhvillimet e tjera, të dhënat e fundit të indeksit të çmimeve të konsumit në Kinë, importuesi kryesor i naftës në botë, treguan presione në rritje deflacioniste pasi kërkesa e brendshme e dobët ka hedhur dyshime mbi rimëkëmbjen ekonomike.
Gjithsesi, zyrtarët kinezë u zotuan të premten se do të nxisin kërkesën e brendshme dhe do të konsolidojnë rimëkëmbjen ekonomike në vitin 2024. Këtë javë, investitorët po presin udhëzime mbi politikat monetare nga pesë banka qendrore, përfshirë Rezervën Federale dhe Bankën Qendrore Europiane, dhe të dhënat mbi inflacionin në SHBA.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.