Sesion i qetë për tregun e monedhave – FED dhe BQE mund të fillojnë uljen e interesave në mars 2024
Tregu i monedhave e ka nisur në qëndrueshmëri këtë javë, pasi investitorët po presin të dhënat mbi inflacionin në SHBA dhe takimet e bankave qendrore më të mëdha në botë, ndërsa presionet deflacioniste në Kinë e mbështetën juanin.
Euro po këmbehet e qëndrueshme në rreth 1.077 dollarë, ndërsa paundi po këmbehet në rreth 1.25 dollarë, niveli më i ulët në 2 javët e fundit. Të dhënat e publikuara të premten në SHBA treguan se rritja e vendeve të punës u përshpejtua në nëntor ndërsa shkalla e papunësisë ra në 3.7%, duke nënvizuar qëndrueshmërinë e tregut të punës në ekonominë më të madhe në botë.
Por, ky raport do të jetë sfidues në lidhje me pritshmëritë për një ulje të normave të interesit nga Rezerva Federale, në fillim të vitit të ardhshëm. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare fitoi 0.7% të vlerës javën e kaluar, duke i dhënë fund tre javëve me radhë në rënie. Analistët shprehen se mbledhja e Rezervës Federale të martën dhe të mërkurën do të jetë zhvillimi kryesor që do të ndikojë në ecurinë e dollarit, gjatë kësaj jave.
Banka Qendrore Amerikane pritet të mos i ndryshojë normat e interesit, por presidenti Jerome Powell, mund të sinjalizojë se kur do të vijë ulja e parë e tyre. Aktualisht, tregjet vlerësojnë rreth 60% shanse për një ulje të interesave në mars të vitit 2024. Edhe për Bankën Qendrore Europiane pritshmëritë janë të njëjta. Në Azi, të dhënat e publikuara gjatë fundjavës treguan se çmimet e konsumit të Kinës ranë me ritmin më të shpejtë në tre vjet, gjatë nëntorit, duke sugjeruar presione në rritje deflacioniste.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.