Bursat, në pritje të bankave qendrore – BQE, FED dhe Banka e Anglisë mblidhen këtë javë
Bursat europiane po karakterizohen nga qetësia në sesionin e parë të kësaj jave, pasi investitorët po presin takimet e bankave qendrore më të mëdha të botës. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 po qëndron në rënie të lehtë me 0.1%, ndërsa sektori financiar kryeson fitimet, në rritje me 0.5%.
Në anën tjetër, sektori minerar vijon tendencën në rënie dhe sot ka humbur mbi 1% të vlerës. Bursat europiane e mbyllën javën e kaluar në rritje, pasi të dhënat mbi punësimin në SHBA treguan një rënie surprizë të nivelit të papunësisë gjatë nëntorit.
Përtej Atlantikut, indeksi S&P 500 shënoi një nivel të ri për vitin 2023, pasi të dhënat e anketës së konsumatorëve të Universitetit të Miçiganit sinjalizuan një aktivitet ekonomik elastik dhe ftohje të inflacionit. Në anën tjetër, tregjet në Azi-Paqësor ndryshuan ndjeshëm, me aksionet kineze që ranë pasi të dhënat treguan presione të vazhdueshme deflacioniste në ekonominë e dytë më të madhe në botë, të nxitur nga kërkesa e brendshme e dobët.
Kjo javë do të jetë shumë e rëndësishme, në lidhje me politikat monetare, pasi Banka Qendrore Europiane, Rezerva Federale dhe Banka e Anglisë zhvillojnë takimet e tyre periodike. Analistët parashikojnë se të treja bankat do t’i mbajnë normat e interesit të pandryshuara, por mund të sinjalizojnë se kur mund të vijë ulja e parë e tyre.
Tregjet presin gjerësisht se BQE dhe Rezerva Federale mund të ndërmarrin uljen e parë në takimin e marsit të vitit 2024, për shkak se inflacioni në Eurozonë dhe në SHBA ka rënë ndjeshëm në muajt e fundit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.