Azerbajxhani eksporton naftën e Rusisë – Moska fiton miliarda dollarë për të financuar luftën me Ukrainën
Një kompani misterioze e quajtur ‘Nord Axis’, e regjistruar në Hong Kong vetëm nëntë ditë para pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ishte bërë një nga tregtarët më të mëdhenj në botë të naftës ruse. Me tërheqjen e blerësve perëndimorë, ‘Nord Axis’ dhe kompanitë e tjera “të errëta” kanë mbajtur gjallë industrinë më të rëndësishme të Rusisë, duke gjetur tregje të reja dhe duke fituar miliarda dollarë për makinën luftarake të Putinit.
Organizatori i marrëveshjeve ishte një tregtar pak i njohur azerbajxhanas i quajtur Etibar Eyub, i cili ka ndërtuar një perandori të fshehtë tregtare dhe detare që transporton sasi të mëdha nafte për blerësit nga Kina në Indi. Ai mobilizoi një flotë tankesh të vjetëruar dhe mbuloi transaksionet duke përdorur një labirint kompanish të regjistruara në Dubai dhe Hong Kong, zbuluan burime me njohuri për marrëveshjet.
“Nord Axis” dhe katër kompani të tjera të menaxhuara nga Eyoub eksportuan të paktën 33 miliardë dollarë naftë ruse dhe karburant në vitin 2023, sipas të dhënave tregtare nga Shkolla e Ekonomisë e Kievit, që përbën një të pestën e eksporteve ruse. Eyoub gjithashtu raportohet se drejtonte kompani të tjera që operonin në tregun rus, me pronësi dhe menaxhim të paqartë, që ndihmuan prodhuesin gjigant shtetëror rus, Rosneft Oil, të tregtonte naftën e tij të papërpunuar pas pushtimit.
Përdorimi i kompanive guackë është një taktikë e zakonshme e përdorur nga regjimet për të anashkaluar sanksionet e SHBA-së, thanë zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë të SHBA. Wall Street Journal ekzaminoi, ndër të tjera, dokumente që detajojnë marrëveshjet sekrete të rrjetit tregtar, si dhe të dhëna mbi eksportet ruse, të dhënat e transportit dhe të dhënat e korporatave dhe ligjore në 12 vende.
Sasi të mëdha të ‘arit të zi’ po transportohen nga kompanitë guacka te blerësit nga Kina në Indi. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, në një shenjë se rrjeti sekret po funksionon, shitjet e naftës ruse arritën në 180 miliardë dollarë vitin e kaluar.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.