Balluku: Porti i ri i Durrësit do ta çojë Shqipërinë në një nivel tjetër në turizmin Mesdhetar – Vengu: Rritje e ndjeshme e të ardhurave doganore!
Në analizën vjetore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, u vu theksi edhe tek Porti i ri i Durrësit i cili sipas Ballukut do ta çojë Shqipërinë në një nivel tjetër në turizmin Mesdhetar.
“Porti i ri i Durrësit, një nga projektet më të rëndësishme të dekadës së ardhshme do ta vendosi Shqipërinë në një nivel tjetër në Mesdhe për sa i takon industrisë detare. I kemi propozuar NATO-s për të patur një bazë detare të aleancës në zonën e Porto Romanos”, tha Balluku.
Ndërkaq i pranishëm ishte edhe Drejtori i Autoritetit Portual të Durrësit, Pirro Vengu, i cili tha se rritja e të ardhurave doganore në katër vitet e fundit është 24.7%, ndërsa bëri të ditur se risi është afrimi i sipërmarrësve nga Serbia, që përdorin këtë pikë hyrëse për të transferuar mallrat e tyre.
“Në Portin e Durrësit realizohen 95% e transportit detar dhe shteti vjel 50% e të të ardhura doganore në vend. Nëse shohim në kontekstin historik, nga viti 2019-2023, kemi patur rritje të të ardhurave doganore në nivelin 24.7%, rritje më e lartë se Prodhimi i Brendshëm Bruto, çka tregon se sektori transportit detar është kontribuues domethënës në vend”, tha ai.
Sipas tij, sektori më frytdhënës janë kontejnerët, teksa numri i pasagjerëve nuk ka pësuar rritje të ndjeshme dhe kjo i adresohet forcimit të industrisë së aviacionit.
“Kemi tejkaluar dhe parashikimet se në portet shqiptare nuk mund të kalohet përpunimi i sasisë së 5.8 milion tonë mallra në vit. Kjo shifër u tejkalua fund-vitin e shkuar. Kjo i atribuohet suksesit të sektorit turistik, që solli rritje të konsumit, por edhe eksportet, ku sektori mineral ka njohur rritje”, tha vëngu.
Gjithashtu ai u shpreh se ka një thellim të përdorimit të portit nga sipërmarrës nga Kosova, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe risia, që janë klientët nga jugu i Serbisë, që kërkojnë daljen në Adriatik, si dalja më efecientë.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.