BE do të rishikojë politikën bujqësore në përgjigje të protestave të fermerëve!
Komisioni Europian propozoi rishikimin e disa dispozitave të Politikës së Përbashkët Bujqësore në përgjigje të protestave të fermerëve në të gjithë Europën.
Propozimet do të “ulnin barrën lidhur me kontrollet për fermerët e BE” dhe do t’u jepnin atyre më shumë “fleksibilitet për të përmbushur disa kushte mjedisore”, tha Komisioni Europian.
Dispozitat janë në përgjigje të dhjetëra protestave të fermerëve që janë zhvilluar në disa vende të Europës, duke përfshirë Spanjën, Francën, Holandën dhe Belgjikën. Ata janë kundër rregullores së BE-së, që synon të luftojë ndryshimet klimatike, importet e pakufizuara nga vendet jashtë bllokut dhe kostot e prodhimit, ndër të tjera.
Propozimi “gjen ekuilibrin e duhur” midis rolit të CAP për të mbështetur një tranzicion drejt bujqësisë më të qëndrueshme dhe kërkesave të fermerëve, tha Komisioni. Rishikimi do të përfshijë gjithashtu masa për të përmirësuar pozicionin e fermerëve të BE-së në zinxhirin e furnizimit me ushqime.
“Komisioni po ndërmerr veprime të forta dhe të shpejta për të mbështetur fermerët tanë në një kohë kur ata po përballen me sfida dhe shqetësime të shumta”, tha Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
“Propozimet e sotme – të hartuara në bashkëpunim të ngushtë me fermerët, aktorët kryesorë, Shtetet Anëtare dhe deputetët tanë – ofrojnë fleksibilitete të synuara për të ndihmuar fermerët të bëjnë punën e tyre jetike me besim dhe siguri më të madhe,” shtoi ajo.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.