BE nis hetimet për TikTok – “Shkelje e transparencës dhe detyrimeve për mbrojtjen e fëmijëve”
TikTok dyshohet se ka shkelur transparencën dhe detyrimet për mbrojtjen e fëmijëve. Deklarata e bërë nga komisioneri europian për tregun e brendshëm, Thierry Breton, i hap rrugë në këtë mënyrë hetimeve ndaj platformës me objektivin për të pasur një internet më të sigurtë për të rinjtë. Kjo duke iu referuar ligjit europian për shërbimet dixhitale.
Hetimi në rrjetin social në pronësi të ByteDance është fokusuar në ‘dizajnin problematik’, ‘kufijtë kohorë’, efektin përsëritës të detyrueshëm, verifikimin e moshës dhe cilësimet e parazgjedhura të privatësisë.
Procedura formale e nisur nga Komisioni Europian do të vlerësojë nëse TikTok mund të ketë shkelur Aktin e Shërbimeve Dixhitale – DSA në fushat që lidhen me mbrojtjen e të miturve, transparencën e reklamave, aksesin në të dhëna për studiuesit, si dhe menaxhimin e rrezikut të projektimit të varësisë që ata krijojnë dhe përmbajtjes së dëmshme.
Bazuar në hetimin paraprak të kryer deri më tani, bazuar edhe në analizën e raportit të vlerësimit të rrezikut të dërguar nga TikTok në shtator 2023, si dhe në përgjigjet e TikTok ndaj kërkesave formale të komisionit për informacion, komisioni vendosi të nisë procedura formale kundër TikTok sipas DSA.
Procesi do të fokusohet në respektimin e detyrimeve në lidhje me vlerësimin dhe zbutjen e rreziqeve sistematike, për sa i përket efekteve negative aktuale ose të parashikueshme që rezultojnë nga dizajni i sistemit TikTok, duke përfshirë sistemet algoritmike, të cilat mund të stimulojnë varësitë e sjelljes. Ky vlerësim është i nevojshëm për të kundërshtuar rreziqet e mundshme për ushtrimin e të drejtës themelore për mirëqenien fizike dhe mendore të personit, për respektimin e të drejtave të të miturit, si dhe ndikimin në proceset e radikalizimit.
Më pas do të vlerësohen masat zbutëse të vendosura, veçanërisht mjetet e verifikimit të moshës të përdorura nga TikTok për të parandaluar aksesin e të miturve në përmbajtje të papërshtatshme. Më pas do të vlerësohet respektimi i detyrimeve të Ligjit për Shërbimet Dixhitale për zbatimin e masave të përshtatshme dhe proporcionale për të garantuar një nivel të lartë privatësie, sigurie dhe mbrojtjeje për të miturit.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.