BE “sulmon” gjigantët teknologjikë – “Mos mbështesni terrorizmin me, apo pa qëllim”
Pas sulmit të fundit të Hamasit ndaj Izraelit dhe sulmeve ajrore pasuese hakmarrëse, Bashkimi Europian ka intensifikuar presionin ndaj gjigantëve të teknologjisë, duke këmbëngulur që ata të heqin përmbajtjen e paligjshme nga platformat e tyre ose të përballen me pasoja të rënda ligjore.
Platformat e mediave sociale kanë dëshmuar një rritje të informacioneve ‘mashtruese’ në lidhje me konfliktin, duke përfshirë imazhe të manipuluara, video të keqinterpretuara dhe imazhe shqetësuese të dhunës. Shefi i industrisë së BE-së Thierry Breton u ka bërë një lutje të drejtpërdrejtë manjatëve të teknologjisë, duke theksuar nevojën për të luftuar dezinformimin dhe përmbajtjen e paligjshme.
Ai theksoi se përmbajtja që qarkullon në internet që mund të lidhet me Hamasin kualifikohet si përmbajtje terroriste, është e paligjshme dhe duhet të hiqet sipas rregullores DSA – Akti i Shërbimeve Dixhitale dhe TCO – Përmbajtja Terroriste Online.
Breton shtoi se komisioni do të zbatojë plotësisht DSA-në dhe do të monitorojë nga afër zbatimin e plotë të TCO-së, ndërsa u kërkon platformave online të sigurojnë përputhje të plotë me rregullat e BE-së. Paralajmërimet e Thierry Breton për drejtuesit e teknologjisë nuk kanë kaluar pa u vënë re.
Në një letër drejtuar Elon Musk, ai nënvizoi keqpërdorimin e platformës së mesazheve të Musk, X, për shpërndarjen e informacionit të rremë në lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme. Breton lëshoi gjithashtu një paralajmërim të ngjashëm për Mark Zuckerberg, CEO i Meta, duke kërkuar respektimin e rreptë të ligjit europian.
Breton theksoi më tej se këto kompani kanë vetëm 24 orë kohë për të dëshmuar angazhimin e tyre për zhdukjen e përmbajtjeve të dëmshme nga platformat e tyre.
Komisioni Europian ka luajtur një rol vendimtar në zbatimin e këtyre rregulloreve të reja, duke siguruar që platformat e mëdha online, përfshirë X dhe Facebook të Metës, të heqin përmbajtjen e paligjshme dhe të zbatojnë masa për të mbrojtur sigurinë publike. Sipas Breton, mospërputhja mund të rezultojë në gjoba deri në 6 % të xhiros globale të kompanisë, me mundësinë e ndalimit të operimit në Europë për shkelësit e përsëritur.
Ndërsa BE-ja intensifikon përpjekjet e saj për të frenuar përhapjen e përmbajtjeve të dëmshme në lidhje me aktivitetet terroriste, mbetet e paqartë nëse mesazhe të ngjashme u janë përcjellë kompanive të tjera të mediave sociale në kuadrin e DSA.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.