Bien të ardhurat nga eksportet e naftës dhe mineraleve – Renta minerare/ Në 2023 u arkëtuan 2.9 mld lekë, 30% më pak se një vit më parë
Buxheti i shtetit arkëtoi rreth 2.9 mld lekë nga taksa e rentës minerare në eksport në vitin 2023, duke shënuar rënie të ndjeshme, në raport me të njëtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në raport me vitin 2022, të ardhurat nga renta minerare ranë me 30%, duke bërë që në buxhet të mblidhen 1.3 mld lekë më pak se viti i kaluar. Kjo ulje e të ardhurave duket se reflekton uljen e çmimit të naftës, në tregjet ndërkombëtare.
Kjo pasi, kompanitë paguajnë në shtet rentën minerare, që përllogaritet mbi vlerën e tatueshme të të ardhurave nga aktiviteti i nxjerrjes së naftës dhe mineraleve. Ulja mund të shkaktohet edhe nga rënia e prodhimit, por të paktën kompania shtetërore e naftës Albpetrol raporton sasi thuajse të njëjta prodhimi për vitet 2022 -2023.
Ndërkohë, të dhënat nga Bankers Petroleum, që ushtron aktivitetin në fushën më të madhe naftëmbajtëse, të Patos Marinzës nuk janë bërë publike. Edhe sasia e mineraleve të prodhuar gjatë vitit që sapo lamë pas nuk është publikuar ende.
Gjithsesi, në vitin 2021 hynë në fuqi ndryshimet ligjore që përjashtuna nga taksa e rentës minerae për një periudhë 3-vjeçare mineralet metalore që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve minerare.
Qëllimi i kësaj mase ishte mbështetja e industrisë së përpunimit të mineraleve metalore, e cila po përjetonte një periudhë krize të thellë si pasojë e efekteve të pandemisë COVID-19, që kanë shkaktuar dhe ulje të kërkesës dhe çmimeve të tregut ndërkombëtar të nënprodukteve minerare metalore.
Për hidrokarburet, renta minerare llogaritet duke aplikuar një normë prej 10 për qind të vlerës së tregut të naftës dhe gazit, të nxjerra në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për kromin, bakrin dhe hekur-nikelin, ajo është në masën 6%, ndërsa për mineralet e tjerë varion nga 4%-10%.
Ola Mitre/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.