Bitcoin i reziston nivelit teknik të 36,000 USD – Pasi humbi 4% të vlerës të enjten, sot i rikthehet fitimeve
Tregu i kriptomonedhave i është rikthyer fitimeve në sesionin e sotëm, pas humbjeve të realizuara një ditë më parë. Gjatë ditës së sotme, tregu po mbështetet nga dobësimi i dollarit amerikan, por edhe nga optimizmi që ka mbizotëruar në javët e fundit, se Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve në SHBA do të miratojë së shpejti ETF-të e para në bitcoin.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan ka zbritur drejt 104, niveli më i ulët që nga fillimi i shtatorit, duke ofruar një mbështetje për tregun e aseteve dixhitale. Kriptomonedha më e madhe në botë po qëndron pranë nivelit më të lartë në 18 muajt e fundit, madje i ka mbijetuar edhe niveleve të rezistencës.
Ndërsa numri i portofoleve të vegjël po rritet, nuk ka pasur një kthim të madh nga spekulatorët, që janë ata të cilët mbajnë BTC për periudha të shkurtra kohore. Analistët mendojnë se çmimi i bitcoin do të korrektohet akoma më shumë, përpara se të tentojë sërish nivelet e 38 mijë apo 40 mijë dollarëve. Ndërkohë, lajmet për miratimin e fondit të parë në Bitcoin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ishin një katalizator i mundshëm për një lëvizje të tillë.
Gjatë këtij viti, kriptomonedha më e madhe në botë është rritur me 125%, për shkak të parashikimeve se bankat qëndrore do t’i japin fund politikave monetare shtrënguese. Ndër zhvillimet e tjera gjatë javës, gjigandi i manaxhimit të aseteve, BlackRock dyfishoi bastet në ethereum, duke bërë që investitorët të besojnë se shumë shpejt autoritetet në SHBA do të miratojnë edhe një fond të tregtuar në shkëmbim në ethereum, ose siç njihen ndryshe ETF. “iShares Ethereum Trust”, i cili u regjistrua javën e kaluar, do t’u japë investitorëve akses në ethereum, që është kriptomonedha e dytë më e madhe në botë, por pa e zotëruar drejtpërdrejt atë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.